Shqipëria është vendi i katërt në Evropë me përqindjen më të lartë të të rinjve që as nuk punojnë, as nuk shkollohen. 30% e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç nuk janë në punë apo shkollë. Të dhënat e INSTAT-it për vitin 2020 tregojnë se 41% e grave të moshës 25-39 vjeç në Shqipëri janë me arsim të ulët dhe po me të njëjtin nivel arsimimi ishin 35% e meshkujve, bën të ditur “Monitor”.

Të dhënat e INSTAT-it për nivelin e arsimimit të rinisë shqiptare janë shqetësuese pasi vendi nuk mund të përballojë kalimin nga bujqësia dhe fasoneria në profesione të tjera të zhvilluara që sjellin më shumë të ardhura.

Sipas të dhënave, 38% e grave nga 25-39 vjeç janë me arsim të lartë, 20% me arsim të mesëm dhe 41% me arsim 8-vjeçar. Po ashtu, 38% e të rinjve meshkuj janë me arsim të mesëm, 26% me arsim të lartë dhe 35% me arsim fillor.

Në tremujorin e katërt të vitit 2020 ishin regjistruar si të papunë rreth 5000 të rinj që kanë qenë të punësuar në sektorët e shërbimit të pezulluar apo mbyllur për shkak të pandemisë. Kjo shifër është tepër e lartë dhe ka ndikuar në rritjen e nivelit të emigracionit.