Norma e inflacionit në Shqipëri gjatë muajit shkurt është ngjitur pranë 3.9%, nga 3.7% që ishte gjatë muajit janar, por edhe muajit dhjetor të vitit të kaluar, njofton “Scan TV”.

Rritja e mëtejshme e inflacionit sinjalizon se, çmimet e konsumit vijojnë tendencën rritëse, pasojë edhe e zhvillimeve më të fundit në ekonominë globale.

Një vit më parë, gjatë shkurtit, norma e inflacionit fiksohej në 1.1%.

Ndërkohë, krahasuar me muajin janar të këtij viti, çmimet janë shtrentjuar me 1.3%, thonë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave në lidhje me indeksin e çmimeve të konsumit.

Norma e inflacionit prej 3.9% gjatë shkurtit është niveli më i lartë që prej muajit qershor të vitit 2011.

Shifra është ndjeshëm mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, pranë 3%, çka sinjalizon se institucioni mund të vendosë shumë shpejt të ndërhyjë në politikat monetare për të stabilizuar inflacionin, duke normalizuar gradualisht normat e interesit.