Më 14 mars të çdo viti Shqipëria feston Ditën e Verës. Ajo është një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi.

Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit.

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Ato gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e verores, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.