Kryeministri shqiptar Edi Rama ka premtuar të dielën se paga minimale që nga muaji prill do të bëhet 32 mijë lekë, ndërsa deri në fund të mandatit tha se dëshiron që në vend të mos ketë pagë nën 40 mijë lekë.

Deklaratën e tij Rama e bëri gjatë një takimi me bizneset për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale, për të përballuar situatën e rëndë ekonomike të krijuar nga kriza e luftës në Ukrainë.

Rama tha se gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se paga minimale.

Kryeministri shqiptar tha se kriza energjitike është pjesa më e rëndë dhe më katastrofike. Sipas tij çmimet në tregun ndërkombëtar janë rritur deri në 7 herë, por për shqiptarët gjithçka është përballuar nga shteti.