Më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Durrës për dhurimin e ndihmave Bashkimit të Grave me Aftësi të Kufizuara. Ishin të pranishëm edhe deputetja socialiste e Durrësit, znj.Klodiana Spahiu, kryetarja e shoqatës Elsa Tasha, drejtues të organizatave të bamirësisë, si dhe gratë që morën ndihma.

Në ceremoni, ambasadori Zhou u shpreh se ishte i gëzuar që kremtonte Ditën Ndërkombëtare të Gruas me anëtaret e Shoqatës, duke u dhënë ndihma me sende jetese 100 familjeve.

“Që nga lashtësia, gruaja ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në familje dhe shoqëri. Ndërkohë, gratë përgjithësisht janë nën presion më të madh sesa burrat në punë dhe jetë. Veçanërisht gratë me aftësi të kufizuara, përballen me vështirësi të paimagjinueshme në arsim, punësim, kujdes mjekësor dhe të drejta sociale etj. Ruajtja e të drejtave dhe interesave të grupeve më të prekshme, si gratë dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, është një përgjegjësi e përbashkët e gjithë botës. Aktualisht, sapo kanë nisur Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit. Sportistët me aftësi të kufizuara nga e gjithë bota kanë treguar vullnet të fortë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Ata mishërojnë plotësisht vlerat paralimpike, që janë 'vendosmëria, barazia, motivimi dhe guximi', duke na kanë frymëzuar të punojmë së bashku për të krijuar një botë më të barabartë, më përfshirëse dhe më të dashur,” tha z. ambasador.

Sipas tij, miqësia e sinqertë mes popullit kinez dhe popullit shqiptar ka mbetur gjithmonë e gjallë. Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, një numër i madh ndihmash për Shqipërinë që pasqyronin miqësinë e popullit kinez, kaluan detin dhe së pari mbërritën në Durrës, portin më të madh të Shqipërisë. Mijëra ekspertë kinezë zbarkuan gjithashtu në Durrës dhe shkuan në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke dhënë ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. “Gjatë tre dekadave të fundit, Kina ka vazhduar t'i ofrojë mbështetje dhe ndihmë Shqipërisë në fusha të ndryshme, si në rindërtimin pas tërmetit dhe në luftimin e pandemisë etj. Ambasada kineze ka qenë gjithmonë e përkushtuar për t'u kujdesur për grupet më të prekshme në Shqipëri. Ne kemi ofruar ndihmë materiale për jetimoret, për familjet në nevojë dhe për viktimat e tërmetit etj.,” shtoi z. Zhou Ding.

Zonjat Spahiu dhe Tasha u shprehën nga ana e tyre se ardhja e ndihmave nga ambasada kineze në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ka shfaqur miqësinë midis dy popujve dhe kujdesin e ambasadës ndaj grave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Shoqatat e bamirësisë, si ajo e grave me aftësi të kufizuara, janë të gatshme të forcojnë bashkëpunimin me ambasadën kineze, për të nxitur ngritjen e statusit të grave shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Disa gra përfituese të ndihmës u shprehën se këto dhurata mbartin ndjenjat e miqësisë, dashurisë dhe përkujdesit të popullit kinez, gjë që ka shtuar edhe më tej besimin dhe guximin e tyre për të përqafuar një të ardhme më të bukur.

Redaksia e Gjuhës Shqipe e CMG-së, RTSh-ja dhe disa media vendore të Durrësit raportuan për ceremoninë.