protestat ne tirane, topchannel
Në disa qytete në Shqipëri pati tubime paqësore kundër rritjes së çmimeve. Në Tiranë, tubuesit u mblodhën para kryeministrisë, ku kërkuan nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe rishikimin e çmimeve për produktet e shportës.
Qytetarët e Shkodrës bllokuan aksin kryesor hyrës për në qytet, duke fikur makinat, si reagim kundër rritjes ekstreme të çmimit të naftës në pikat e karburantit. Në Durrës shoferët fikën automjetet në shenjë proteste, duke bllokuar dhe disa akse rrugore të qytetit.
Tubimi në Tiranë u mbyll me ndërhyrjen e policisë, pasi qytetarët po bllokonin rrugët duke bindur shoferët që të fiknin makinat.
Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari, i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Policia e Shtetit njoftoi se është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre. (Irma)