expo dubai, fb zyrtar kryeministri rama

expo dubai, fb zyrtar kryeministri rama

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në “Expo Dubai 2020”, të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku marrin pjesë 192 vende nga e gjithë bota.

Kryeministri Rama deklaroi se Pavijoni i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve për mrekullitë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe energjinë zhvillimore të vendit.

Gjatë fjalës së mbajtur në “Expo Dubai 2020”, Rama tha se Shqipëria është midis atyre vendeve që mbeten për t’u zbuluar.

“Midis kaq shumë vendesh, ne jemi vend i vogël, me një prani modeste, por besojmë fort se jemi midis atyre vendeve që mbeten për t’u zbuluar dhe atyre destinacioneve që mbeten ende për t’u shijuar për njerëz nga Evropa, Lindja e Mesme e mbarë bota. Ne jemi një vend i vogël mjaft i bukur, ku shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Për këdo që do të vizitojë pavijonin tonë modest të gjithë ata që po dëgjojnë fjalët e mia ju them: ejani në Shqipëri, vizitojeni Shqipërinë dhe mund t’ju garantoj se kurrë nuk do të pendoheni, përkundrazi do të doni të ktheheni sërish”, tha Rama, citojnë mediet shqiptare.

Në Abu Dabi, kryeministri Rama u takua me princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, sheik Muhammed Bin Zayed, me të cilin biseduan për impaktin e luftës në Ukrainë, krizën energjitike, projektet e Rindërtimit në Spitallë e të Portit Turistik në Durrës, si edhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. (Irma)