Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt. Tregu i shitjes me shumicë përfshin ndërmarrjet importuese të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, si dhe ato që e blejnë me shumicë në tregun e brendshëm.

Ky institucion shprehet se rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës është reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë duke rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor, citon “Monitor”. AK-ja ka nisur një monitorim të tregut gjatë muajit shkurt, për të vlerësuar tendencat e çmimeve të karburanteve diesel dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve.

Nga deklaratat e marra gjatë monitorimit, u konstatua se në muajt e fundit ka pasur një rritje periodike të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Në periudhën e monitorimit, çmimet arrinin deri në 194 lekë për litër dhe vendimi i AK është marrë në fund të muajit shkurt, por gjatë muajit mars çmimet kanë nisur një tjetër rritje galopante dhe kanë prekur çmime rekord të të gjitha kohërave. Në mesin e kësaj jave, çmimi i karburantit diesel dhe benzinë ka arritur deri pranë kufijve të 300 lekëve për litër, gjë që ka nevojë për thellim të hetimit.

Tregtarët e mëdhenj e argumentojnë këtë shtrenjtim me rritjen e fortë të çmimit të karburanteve në tregjet botërore. Lënda e parë, nafta bruto, tregtohet aktualisht me pothuajse 130 dollarë amerikanë për fuçi.

Konflikti Ukrainë-Rusi i ka dhënë një goditje të mëtejshme çmimeve që kishin nisur prej muajsh një rritje të ndjeshme, për shkak të kërkesës më të lartë dhe vendimit të prodhuesve të mëdhenj për mos të shtuar sasitë e hedhura në treg.

“Çmimet nga pikat e shumicës dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale, të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqësisht rritja e çmimeve në bursë javën e fundit ka qenë galopante. Sqarojmë se rezervat tremujore që mbahen sipas ligjit janë gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum,” thuhet në deklaratën e Shoqatës së Hidrokarbureve.