Kumbaro atsh

Kumbaro atsh

Në Gjirokastër ka nisur me prioritet puna për rehabilitimin e plotë të venddepozitimit të mbetjeve, një hapësirë shumë afër qytetit që ka qenë një plagë mjedisore.

Në një sipërfaqe rreth 15 mijë metra katrorë, për mbi tridhjetë vite mbetjet janë depozituar në një zonë që është shumë pranë qendrës së qytetit, duke u kthyer në një problem të rëndë mjedisor.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, që inspektoi punimet të mërkurën, e vuri theksin te turizmi, që sipas saj nuk mund të zhvillohet pa një mjedis të pastër.

Kumbaro po ashtu bëri thirrje që mbetjet organike të kompostohen dhe shtoi se me plotësimin e hartës me pika fundore të trajtimit të mbetjeve, është domosdoshmëri ndarja në burim për riciklimin e mbetjeve. Kjo gjë, sipas saj, do të ndihmojë në uljen e vëllimit të mbetjeve që shkojnë në pikat fundore.

“Kemi kërkuar rritjen e zërit të pastrimit në buxhetin e çdo bashkie këtë vit. Do të jetë një vit i kthesës në menaxhimin e mbetjeve në gjithë vendin. Por është një luftë shumë e gjatë, luftë që nuk e kemi bërë për 30 vite, luftë që po e bëjmë tani”, -shtoi Kumbaro.