ramaaaa Top Channel

ramaaaa Top Channel

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish të mërkurën për krizën energjetike. Në një postim në “Facebook”, Rama shkruan se Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet. “Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë. Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike”, -shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare thotë se për shkak të situatës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht. Sipas tij, gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë, por shton se sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë.

“Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjetike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël. Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lekë, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lekë. Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë dollarë që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë. Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi”.

Kryeministri Rama shton se kriza e tanishme është rrjedhojë e një situate që Shqipëria as nuk e ndal dot, as nuk e shmang dot dhe bën thirrje për durim për të përballuar këtë situatë.