Karburantet_qeveria, acaal

Karburantet_qeveria, acaal

Inflacioni u rrit përsëri në muajin shkurt dhe arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë.

Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tre grupet e mësipërme, bën të ditur “Monitor”.

Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit. Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve.

Sipas INSTAT-it, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithëra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.

Inflacioni i grupit “transport” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar. Kjo reflekton efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit.