Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ambasada e Kinës në Shqipëri u ka ardhur në ndihmë grave me aftësi të kufizuara. Në një aktivitet në Durrës të organizuar nga Shoqata Bashkimi i Grave me Aftësi të Kufizuara, kryetarja e shoqatës, Elsa Tasha, në fjalën përshëndetëse falënderoi ambasadorin e Kinës në Shqipëri për ndihmën humanitare ndaj atyre grave të cilat vërtet kanë nevojë.

“Shpresojmë që kjo ndjenjë humanizmi të shërbejë si pikë referimi për të zgjuar ndërgjegjen e kujtdo që mundet të mbushë jetët tuaja me çaste të gëzuara”, -tha Tasha.

I pranishëm në aktivitet, ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, uroi gratë për Ditën Ndërkombëtare të tyre.

“Në tre vitet e fundit kam pasur nderin të krijoj miqësi me gra inteligjente shqiptare dhe kam parë kontributet e tyre ndaj shoqërisë dhe vendit. Që nga kohërat e lashta, gruaja ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në familje dhe shoqëri”, -tha ambasadori.

Ndërsa vuri në dukje se gratë përballen me një presion të shtuar në punë e në jetë në krahasim me burrat, ambasadori shtoi se më e vështirë akoma është për gratë me aftësi të kufizuara, të cilat përballen me vështirësi të paimagjinueshme në arsim, punësim, kujdes mjekësor dhe të drejta sociale.

“Një shoqëri e qytetëruar nuk shihet nga forca, por nëse i kushton vëmendje çdo njeriu të dobët dhe i mundëson të jetojë me dinjitet”, -tha ambasadori kinez, i cili solli në vëmendje se sapo kanë nisur Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit.

“Atletë nga e gjithë bota me aftësi të kufizuara përdorën vullnetin e fortë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Ata na kanë frymëzuar për të punuar që të krijojmë në botë më të barabartë e gjithëpërfshirëse”, -theksoi ambasadori kinez në Tiranë.

Ndër të tjera ai tha se Ambasada e Kinës ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të ndihmuar grupet vulnerabël në Shqipëri dhe ka ofruar ndihma për fëmijët jetimë dhe viktimat e tërmetit.

Pjesëmarrëse në aktivitete, deputetja socialiste e Durrësit, Klodiana Spahiu, premtoi se do të bëjë ç’është e mundur që zëri i këtyre grave të dëgjohet në Parlamentin e Shqipërisë.

Ambasada e Kinës dhuroi 100 pako me ushqime për 100 gratë me aftësi të kufizuara pjesëmarrëse në aktivitet. Çdo pako ka një kosto prej 6000 lekësh.