karburanti, monitor

karburanti, monitor

Shqiptarët pritet të paguajnë 300 milionë euro më shumë këtë vit për karburantet, shkruan revista “Monitor”, duke kujtuar se çmimi i një litri nafte arriti në fundjavën e kaluar në nivele rekord të papara ndonjëherë, prej 230 lekë.

Në tre ditët e fundit të javës së kaluar, nafta u rrit tre herë, duke shkruar nga 192 lekë për litër në 230 lekë, ose 38 lekë më shumë. Duke i shtuar dhe shtrenjtimin e fillim shkurtit, vetëm këtë vit, nafta është rritur me 45-50 lekë për litër.

Aktorët e tregut japin si arsye shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ku ajo tregtohet me rreth 118 dollarë për fuçi.

Ata pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.

Sipas të dhënave nga doganat, konsumi i karburanteve në vend është rreth 600 mijë tonë në vit. I gjithë konsumi në vend sigurohet nga importi, pasi rafineria e naftës ARMO, që më parë zinte rreth 30% tregut, ka rreth 4 vjet që nuk punon.

Në vitin 2021, çmimi mesatar i naftës, sipas INSTAT ishte rreth 170 lekë për litër. Në total, konsumi në vlerë vitin e kaluar përllogaritet në rreth 102 miliardë lekë (840 milionë euro).

Këtë vit, nëse çmimet do të qëndrojnë në këto nivele, për të njëjtën sasi prej rreth 600 mijë tonë, konsumatorët do të duhet të shpenzojnë 138 miliardë lekë (rreth 1.13 miliardë euro), ose gati 300 milionë euro më shumë.