Dritan Abazoviç, ocnal
Mali i Zi është i gatshëm t'i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë për të mbështetur deri në fund politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, deklaroi zëvendëskryeministri dhe mandatari për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njofton “Zëri i Amerikës”.
Sipas një deklarate të qeverisë së Malit të Zi, Abazoviç dhe Escobar shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe vlerësuan si thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, -tha Abazoviç sipas njoftimit.