policia e shtetit, atsh

policia e shtetit, atsh

Policia e Shtetit përmes një deklarate për shtyp ka sqaruar masat në fuqi të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në datën 2 mars, lidhur me pandeminë Covid-19.

Policia bën të ditur se klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre në mjedise të mbyllura apo të hapura, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura pas orës 23:00, përcjell “ATSH”.

Ndërkohë Policia e Shtetit informoi se, janë hequr kufizimet dhe lejohen aktiviteti në bare, restorante, fast food-e dhe lokale, pa kufizim kohor.

Policia shpjegon se edhe lëvizja e popullatës në të gjithë vendin është pa asnjë kufizim kohor.

Sipas Policisë, nga Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk janë hequr kufizimet për disa masa, të cilat janë bërë publike më parë nga ana e këtij institucioni.

“Klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre në mjedise të mbyllura apo të hapura, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Muzika ndalohet në çdo mjedis shërbimi pas orës 23:00”, -thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Shtetit siguron opinionin publik dhe në veçanti subjektet e interesuara, se ka marrë të gjitha masat për zbatimin e detyrimeve ligjore në këtë drejtim.