Banka-e-Shqiperise-gazetasi

Banka-e-Shqiperise-gazetasi

Përshkallëzimi i konfliktit Ukrainë-Rusi dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare ishte në fokus të takimit që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Tiranë, Christian Steiner.

Guvernatori Sejko u shpreh se ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në rritjen e çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu edhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.

Ai shtoi se në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore e Bankës së Shqipërisë do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga kjo rritje e çmimeve në tregjet botërore.

Guvernatori theksoi se në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin e saj primar, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe do të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit.

Nga ana e tij, ambasadori Steiner shprehu shqetësimin mbi situatën globale të krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi. Ai shtoi se monitorimi i kësaj situate mbetet i një rëndësie të veçantë për secilin vend për të paraprirë çdo realitet të ri ekonomik dhe marrjen e masave sa më gjithëpërfshirëse. (Irma)