Manastirliu atsh

Manastirliu atsh

Në vijim të plotësimit të spitaleve rajonale me aparatura të fjalës së fundit, në spitalin e Shkodrës është instaluar aparatura e katërt DEXA për matjen e densitetit kockor, që instalohet për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ky investim u shërben ekzaminimit falas të grave, te të cilat sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore vërehet një përqindje e lartë të problemeve të osteoporozës.

Gjatë inspektimit në Poliklinikën e Spitalit Rajonal Shkodër, Manastirliu tha se këto janë investime që rrisin gamën e shërbimeve të ofruara në sistemin shëndetësor publik dhe bëri me dije vijimin e investimeve për rikonstruksionin e poliklinikës në këtë spital.

Investimi i qeverisë shqiptare për pajisjen e poliklinikave dhe spitaleve me pajisjen mjekësore për matjen e densimetrisë kockore për personat që vuajnë nga ostoporoza kap vlerën 15.4 milionë lekë.

Aparaturat janë instaluar në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, në QSUT, poliklinikat e spitaleve Vlorë dhe Shkodër. Dexa është aparat që përdoret për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës, e cila ndodh më tepër te gratë mbi moshën 50 vjeç dhe në meshkujt mbi 60.

Nga të dhënat e OBSH-së, 13%-18% e grave pas moshës 50 vjeç kanë gjasa të vuajnë nga osteoporoza dhe 70% e moshës mbi 80 vjeç. (Irma)