Në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, paralajmëroi të premten se çdokush që do të tentojë të angazhohet në një proces të shitblerjes së votës apo dhe të ndikimit në një mënyrë tjetër mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja.

Në një konferencë për mediet, Celibashi tha se ka kaluar akti normativ, i cili shtyn vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit.

“Kështu që edhe për këto zgjedhje, ata qytetarë të cilët kanë pasur një dokument identifikimi të skaduar apo iu skadonte ky dokument identifikimi në datën 6 mars, qeveria nëpërmjet aktit normativ ka vendosur shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre dokumenteve. Kështu që do të jenë të lejuar të votojnë dhe në këtë pikëpamje, të paktën për këtë shkak nuk do të ketë ndonjë votues që do të pengohet për të votuar në datën 6 mars”, -tha Celibashi.

Ai bëri të ditur se është shpërndarë baza materiale thuajse në të gjitha KZAZ-të. Në lidhje me procesin e votimit elektronik në Vorë, Celibashi tha se bazuar edhe në eksperiencën e zgjedhjeve të tilla në KZAZ nr.40 në Tiranë, ai është një proces i cili garanton në mënyrë të plotë 100% sigurinë e votës.

Nga ana tjetër, Celibashi ftoi ata qytetarë, media, OJQ apo edhe përfaqësues të partive politike, që në çdo rast që do të evidentojnë shkelje, t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale.