Foto: RTSH
Në selinë e Ambasadës së Ukrainës në Tiranë është ngritur një shtab për organizimin e një mbështetjeje humanitare për viktimat e luftës në Ukrainë, të cilët kanë mbetur të pastrehë dhe janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të sulmeve ruse.
Mediet shqiptare raportojnë se qindra qytetarë shqiptarë po dorëzojnë çdo ditë ndihma të ndryshme humanitare, të cilat më pas do të dërgohen në Ukrainë.
Edhe bashkia e Tiranës ka ngritur çadra në disa pika të kryeqytetit, ku në datat 3-14 mars qytetarët mund të dhurojnë gjithçka të nevojshme për të përballuar situatën e vështirë.
Thirrje për ndihma për Ukrainën ka bërë edhe Kryqi i Kuq Shqiptar. Kryqi i Kuq ka nisur një fushatë 10-ditore për mbledhje fondesh në ndihmë të Ukrainës. Grupe të rinjsh vullnetarë kanë dalë në sheshe e rrugë kryesore në të gjithë vendin. (Irma)