Foto: ATSH

Foto: ATSH

Situata aktuale ekonomike bëri bashkë të mërkurën guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Në një njoftim për shtyp, Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në këtë takim u vlerësuan rreziqet me të cilat mund të përballet ekonomia shqiptare, në vijim të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe masat e nevojshme për përballimin e situatës.

Ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu edhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punojnë për të vlerësuar ekspozimin ekonomik, tregtar e financiar të Shqipërisë ndaj vendeve të përfshira në konflikt, si dhe ndikimin e pritur të këtij konflikti në të ardhmen.

Vlerësimet e deritanishme sugjerojnë se shëndeti ekonomik dhe financiar i vendit mbetet solid dhe impakti i pritur i tensionit gjeopolitik pritet të jetë i kufizuar dhe i administrueshëm.