Foto:VCG

Foto:VCG

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive, Gjeorgjina Kuli, informoi të mërkurën se pas numrit të lartë të shtrimeve të fëmijëve të infektuar në muajin janar, aktualisht ka një përmirësim të situatës në spitalin pediatrik.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Kuli theksoi se vaksinimi i moshave mbi 12 vjeç është tepër i rëndësishëm, sepse është një grupmoshë aktive dhe vihen re komplikacione të rëndësishme në shëndetin e tij në rast infektimi nga virusi.

“Fundi i vitit 2021 dhe fillimi i 2022-shit përkoi me një rritje të numrit të fëmijëve pozitivë, por edhe me rritje të numrit të shtrimeve të fëmijëve në spital. Fatmirësisht, javën e fundit kishim një ulje të numrit të shtrimeve, madje 2 ditët e fundit nuk kemi shtrime të fëmijëve”, -tha ajo.

Kuli tha se aktualisht 7 fëmijë që janë të hospitalizuar janë në gjendje të qetë në pritje të përfundimit të terapisë.

“Insistojmë që të konsiderohet vaksinimi i moshave mbi 12 vjeç që ne e kemi rekomanduar, sepse është një grupmoshë aktive dhe sigurisht është një grupmoshë tek e cila vihen re komplikacione të rëndësishme për shëndetin madje edhe për jetën”, -nënvizoi Kuli.