Foto: ATSH

Foto: ATSH

17 përfaqësues nga shoqatat e turizmit, dhomat e tregtisë, sektori i arsimit si dhe federatat sportive, u mblodhën në takimin e të Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se në fokus të kësaj mbledhjeje ishte zhvillimi i turizmit sportiv dhe natyror, duke diskutuar edhe për nisma konkrete që mund të përmirësojnë sektorin nisur nga ky sezon turistik.

“S’kemi kryefjalë tjetër veç koordinimit me të gjitha palët, për të ofruar në treg cilësinë e turizmit sipas standardeve që duam dhe vizionit që kemi përcaktuar”, -u shpreh Kumbaro.

Komiteti, ndër të tjera, ka në fushën e përgjegjësisë së tij trajtimin dhe shqyrtimin e çështjeve që kanë lidhje me veprimtarinë turistike të sektorit privat, sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe ministrisë, dhënien e mendimeve gjatë shqyrtimit të akteve ligjore që kanë lidhje me turizmin, planifikimin e zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit apo këshillimin në lidhje me zbatimin e Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit dhe Planit të Veprimit.