Ambsadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov deklaroi se ofensiva ushtarake e Rusisë ndaj Ukrainës është një akt lufte, sulm ndaj sovranitetet territorial ukrainas, shkelje e thellë e Kartës së OKB-së dhe e normave dhe të drejtave kryesore të parimeve ndërkombëtare.

Përmes një prononcimi për mediet shqiptare, ambasadori Shkurov tha se në të gjithë territorin e Ukrainës është shpallur gjendja e luftës dhe luftimet vazhdojnë në kufijtë me Rusinë. Sipas ambasadorit, presidenti i Ukrainës ka shpallur mobilizimin e përgjithshëm ushtarak dhe janë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Moskën zyrtare.

“Nuk do ta dorëzojmë pavarësinë dhe sovranitetin, do ta mbrojë atdheun me të gjitha mënyrat. Por, kemi nevojë për ndihmë. I bëjmë thirrje BE, SHBA dhe gjithë botës demokratike të përdorin ndaj agresorit sanksione të forta”, -tha ambasadori Shkurov.

Ai falënderoi politikën dhe popullin shqiptar për mbështetjen masive ndaj Ukrainës në këtë situatë të vështirë që ndodhet vendi.

Pyetjes së gazetarëve lidhur me ndihmën që kërkon Ukraina, ambasadori tha se përveç sanksioneve është bërë kërkesë edhe për armatime dhe ndihmë financiare. Ndaj qeverisë shqitare është kërkuar ndihmë në karburant.