Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua të mërkurën me ministren e Financave dhe të Ekonomisë të Shqipërisë Delina Ibrahimaj. Të dyja palët zhvilluan shkëmbime mendimesh për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës e Shqipërisë.

Ambasadori Zhou u shpreh se Kina është vendi më i madh i tregtisë së mallrave në botë dhe partnerja më e madhe tregtare e 130 vendeve dhe rajoneve. Në vitin 2021, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës i kaloi 6 trilionë dollarët amerikanë, duke u rritur 21.4 % në krahasim me vitin 2020. Me kalimin e viteve, Kina ka qenë gjithmonë partnerja kryesore tregtare dhe e investimeve e Shqipërisë, dhe shkëmbimet ekonomike- tregtare dypalëshe janë bërë gjithnjë e më të ngushta. Me gjithë ndikimet e epidemisë së koronavirusit të ri, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Shqipërisë vitin e kaluar është rritur ndjeshëm, 25.8 % më shumë se në 2020-n, gjë që është inkurajuese. Kina zbaton zgjerimin e hapjes dhe promovimin e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, vijoi më tej përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri, duke theksuar se ka një potencial të madh për bashkëpunimin kino-shqiptar në fushat e ekonomisë digjitale, zhvillimit të gjelbër dhe tregtisë elektronike. Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë për të shfrytëzuar plotësisht platformat dhe mekanizmat dypalësh e shumëpalësh, si bashkëpunimi Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore, për të nxitur bashkëpunimin ekonomik e tregtar dypalësh të arrijë më shumë rezultate, vuri në dukje ambasadori Zhou.

Ministrja Delina Ibrahimaj u shpreh nga ana e saj se Kina ka ruajtur zhvillimin me shpejtësi të madhe për një kohë të gjatë dhe ka dalë nga ndikimet e epidemisë, duke realizuar rimëkëmbjen dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe duke i dhënë një hov të madh ekonomisë botërore. Pala shqiptare dëshiron të thellojë kontaktet dhe të forcojë potencialin e bashkëpunimit me palën kineze në fushat e tregtisë, të investimeve, të ekonomisë digjitale, të tregtisë elektronike etj., për të ndihmuar në zhvillimin më të mirë e më të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe. (Çang Çuo)