Politika shqiptare reagoi në lidhje me sulmet ruse në disa qytete ukrainase. Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi se Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm. Ndërsa bëri thirrje për tërheqje nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, presidenti Meta tha se Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj.

Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, duke përcjellë mesazhin: “Shqipëria bashkohet me NATO-n dhe aleatët e BE-së në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas”.

Kryediplomatja shqiptare Olta Xhaçka, ndërsa dënoi sulmin, tha se ai rrezikon rëndë jetën e miliona njerëzve të pafajshëm, minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe shkel Kartën e OKB-së.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e konsideroi një akt të paprecedentë në historinë moderne, që rrezikon seriozisht paqen dhe sigurinë e zonës Euro-Atlantike: “Një akt i paprecedent në historinë moderne, që dhunon rendin botëror, çdo marrëveshje dhe ligj ndërkombëtar, dhe gjithashtu rrezikon seriozisht paqen dhe sigurinë e zonës Euro-Atlantike. Jemi më shumë se kurrë të bashkuar në NATO në këtë luftë vlerash, duke ndenjur vigjilent dhe ndjekur çdo implikim apo sfidë të mundshëm në rajonin tonë”.