Banka e Shqipërisë do të rrisë normën bazë të interesit përgjatë këtij viti, vendim që pritet të merret në muajt në vijim, i diktuar nga inflacioni në rritje. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi të mërkurën se në varësi të nivelit të inflacionit, do të detyrohen të ndryshojnë kahun e politikës monetare.

Sejko tha se sidoqoftë pritshmëritë dhe faktorët makroekonomikë premtojnë për rritje ekonomike, kështu që ndryshimi i kahut të politikës monetare nuk do të ishte një pengesë për rritjen ekonomike.

“Po presim të dhënat nga INSTAT dhe analizën e Departamentit të Politikës Monetare për të gjykuar nëse do të kemi rritje ose jo, por e sigurt është që gjatë këtij viti kahu i politikës monetare do të ndryshojë, pra ne do të fillojmë me kthimin e politikës monetare nga lehtësuese në normalizuese”, -u shpreh Sejko.