Rastet me Covid-19 në Shqipëri kanë vijuar trendin rënës gjatë muajit shkurt dhe në mars pritet të jenë sporadike.

Këtë e konfirmon drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili u referohet thirrjeve ditore për ndihmë në kushte shtëpie, numrit të rasteve të infektuar, por edhe atyre që kanë nevojë për t’u shtruar në spital.

Brataj tha për “Top Channel” se aktualisht shtrohen mesatarisht 12 pacientë në ditë në spitalet Covid.

Por edhe pse vihet re një qetësim i situatës epidemiologjike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera, autoritetet shëndetësore këmbëngulin për vaksinimin e popullatës, me qëllim që të rritet sa më shumë imuniteti për mos t’i lënë hapësirë lindjes së shtameve apo mutacioneve të reja.