Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se në Këshillin e Ministrave është miratuar kontrata e re me kompaninë “Pfizer” për 1 milion doza vaksine anti-Covid gjatë vitit 2022 dhe 500 mijë doza të tjera opsionale, nëse do të duhen, ku përfshihet gjithashtu edhe vaksinimi për fëmijët. “Do të vijojmë të sigurojmë disponibilitetin e vaksinave në të gjitha qendrat shëndetësore”, theksoi Manastirliu, gjatë vizitës në një qendër shëndetësore në Lushnjë.

Ministrja Manastirliu u shpreh se deri më tani është aplikuar për më shumë se 2.6 milionë doza vaksinash. “Jemi ende duke punuar fort për të intensifikuar mbulesën vaksinale te grupmosha e të rinjve. Ndaj nevojitet gjithnjë apel dhe akoma më shumë përkushtim i ekipit shëndetësor për të rritur mbulesën vaksinale te të rinjtë. Por nga ana tjetër duhet të vijojmë me dozat përforcuese te grupmoshat mbi 60 vjeç, sidomos ata të cilët kanë sëmundje kronike dhe janë më të rrezikuar, pasi vaksinimi shpëton jetën”, -deklaroi ministrja Manastirliu.