Të rinjtë shqiptarë po largohen nga mësuesia. Interesi përherë e më i ulët, kryesisht në shkencat ekzakte, po bën që disa programe studimi të shkojnë seriozisht drejt mbylljes.

“Programet e Fizikës në “Bachelor” dhe gjithashtu programet e Matematikës, janë programe studimi që rrezikojnë të mbyllen”, -shprehet zv.dekania e Universitetit të Shkëncave të Natyrës, Eglantina Kalluçi.

Gjatë një interviste për “A2” ajo tha se nga rreth 100 kuota për secilin drejtim, aktualisht në programet e mësuesisë te Shkencat e Natyrës rezultojnë të regjistruar 20 studentë në Fizikë, 60 në Matematikë, 25 në Kimi, 34 në Biologji dhe vetëm 10 në Informatikë.

Përtej numrave në tkurrje, edhe cilësia e studentëve të regjistruar në këto drejtime, nuk po rezulton si më e mira e mundshme.

“Ky është një problem që mbase rezultatet do t’i ketë pas disa vitesh, por që është mirë që të vihet dorë dhe të merren masa për ta ndryshuar trendin në këto programe studimi”, -tha Kalluçi.