Foto:ATSH

Foto:ATSH

Autoritetet e Bashkisë së Gjirokastrës deklaruan se gjatë vitit të kaluar u regjistruan rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj, një shifër në rritje nga 2020, duke tejkaluar dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën rreth 7 mijë turistë vendas dhe të huaj, ndërkohë që dy muzeumet e tjera, ai Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi, përcjell “ATSH”.

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.

Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetësimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga turistët vendas e të huaj përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.