Foto: ATSH

Foto: ATSH

Në qytetin e Krujës u prezantua projekti për restaurimin e Muzeut Etnografik, një financim i BE-së, që kap vlerën e 500 mijë eurove, në kuadër të projektit “BE për kulturën”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se me Bashkimin Evropian është hartuar një program për trashëgiminë kulturore që do të jetësohet me nisma konkrete. Ai e cilësoi programin “BE për kulturën” një burim energjie dhe sinergjie me KE-në, që plotësohen dhe harmonizohen edhe falë një ndërhyrje të qeverisë shqiptare për të stimuluar ekonominë familjare të atyre që kanë trashëguar banesa në zonat historike.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti e cilësoi Muzeun e Krujës si një nga zonat më të rëndësishme historike të vendit, duke theksuar se ky projekt vjen me një vizion të qartë për të shtuar funksionet dhe potencialet e fjetura drejt zhvillimit të qëndrueshëm të trashigimisë kulturore historike. Sipas saj, projekti parashikon investime edhe në aspektin digjital, me qasjen që duhet të kenë të rinjtë dhe fëmijët.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ndërsa foli për projektin financues, ftoi qytetarët që nuk e kanë parë ende këtë muze, ta shikojnë sepse siç tha ai është një thesar i historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë dhe punimet që do të bëhen do ta bëjnë këtë muze edhe më të bukur dhe tërheqës.