Sejko, inflacioni, atsh

Sejko, inflacioni, atsh

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në tre mujorin e katërt 2021, duke arritur në 3.7% në dhjetor. Sipas tij, ndryshe nga sa ishte parashikuar inflacioni do të kthehet në objektiv prej 3% vetëm në vitin 2023 dhe jo këtë vit. Edhe gjatë vitit 2021, inflacioni ishte në numra të lartë, por kjo u ndikua nga shtrenjtimi i çmimeve dhe i naftës.

Gjatë një konference për shtyp, guvernatori Sejko tha se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% gjatë vitit 2022, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se kjo pritet të ketë efekte të përkohshme.

“Analizat e institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë se tregjet do të normalizohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të vijë në rënie”, u shpreh Sejko.

Sipas guvernatorit të BSH-së, balanca e rreziqeve rreth inflacionit mbetet e zhvendosur për lart. Rreziqet e kahut të sipërm burojnë kryesisht nga mundësia e një rritjeje më të shpejtë apo më të gjatë në kohë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, një trupëzim i tyre tek pritjet inflacioniste, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal. Rreziqet e kahut të poshtëm lidhen me një ndikim të mundshëm negativ të pandemisë në aktivitetin ekonomik.