Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding mori pjesë të hënën në ceremoninë e dorëzimit të flamurit delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë Evis Kushi, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, kryetari i Federatës Shqiptare të Skive Elvis Toçi, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, diplomatë nga vende të ndryshme në Shqipëri dhe përfaqësues nga të gjitha sferat e jetës.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding theksoi: “Shqipëria ka qenë gjithmonë një pjesëmarrëse aktive në Lojërat Olimpike dhe promovuese e shpirtit olimpik. Pres me padurim që delegacioni shqiptar të arrijë rezultate të mira, duke u bërë ambasador i miqësisë. Mbajtja e Lojërave Olimpike Dimërore është manifestim i përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare nga Kina. Në gjashtë vjetët e fundit Kina ka ndjekur konceptin e përgatitjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit ‘të gjelbra, gjithëpërfshirëse, të hapura dhe të pastra’. Kemi besim të plotë që do t’i ofrojmë botës një olimpiadë të efektshme, të sigurt dhe të shkëlqyer.”

Më tej përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri u shpreh: “Viti i Ri Kinez po vjen. Në kulturën tonë tigri simbolizon guximin dhe forcën. Le të frymëzohemi nga motoja ‘Më shpejt, më lart, më fort, së bashku’ për të mposhtur të gjitha vështirësitë që kemi përpara. Së bashku për një të ardhme të përbashkët”.

Në emër të qeverisë shqiptare, ministrja Evis Kushi ia dorëzoi flamurin delegacionit olimpik shqiptar. Në fjalën e vet, znj. Kushi tha se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohen siç ishte planifikuar, duke kapërcyer ndikimet e epidemisë dhe duke dërguar një mesazh të bukur uniteti dhe optimizmi për botën. Të frymëzuar nga fryma olimpike, popujt në mbarë botën duhet të bashkëjetojnë në harmoni si një familje, pavarësisht nga feja e prejardhja, pavarësisht nëse janë të pasur apo të varfër. “Është krenari që mund të marrim pjesë në veprimtarinë e sporteve dimërore më të madhe dhe më prestigjioze në botë, duke reflektuar përparimin e sportit shqiptar,” u shpreh ministrja.

Përgatitjet e Kinës për Lojërat Olimpike Dimërore u vlerësuan nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli në fjalimin e tij. “Pekini ka kapërcyer sfidat e sjella nga epidemia dhe është gati të mbajë Lojërat Olimpike Dimërore 2022. KOKSh-i dhe ekipi olimpik shqiptar janë gati dhe do të punojnë shumë për të nderuar Shqipërinë dhe për t'u bërë ambasadorë të miqësisë,” u shpreh Ylli.