Energji-e-rinovueshme, monitor

Energji-e-rinovueshme, monitor

Shqipëria renditet e treta në Evropë për varësinë më të lartë nga burimet e rinovueshme, për arsye të mungesës se diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë në 30 vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Eurostat, përcjellë nga “Monitor”, në vitin 2020 burimet e rinovueshme të energjisë përbënin 37% të konsumit bruto të energjisë elektrike në BE, nga 34% në 2019, ndërsa Shqipëria e ka 100% këtë varësi duke u renditur e treta pas Norvegjisë dhe Islandës.

Energjia e erës dhe hidrocentralet përbënin mbi dy të tretat e totalit të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme (përkatësisht 36% dhe 33%) në BE. Një e treta e mbetur e energjisë elektrike erdhi nga energjia diellore (14%), biokarburantet e ngurta (8%) dhe burime të tjera të rinovueshme (8%).

Energjia diellore është burimi me rritje më të shpejtë: në vitin 2008, ajo përbënte vetëm 1% të energjisë elektrike të konsumuar në BE.

Ndryshe nga këto vende, Shqipëria e ka të përqendruar prodhimin e energjisë së rinovueshme në hidrocentrale, ndërsa nismat për prodhimin e energjisë nga dielli dhe nga era kanë mbetur në vend.

Ndër vendet anëtare të BE-së, më shumë se 70% e energjisë elektrike të konsumuar në vitin 2020 është prodhuar nga burime të rinovueshme në Austri (78%) dhe Suedi (75%).