Vaksinimet ministria

Vaksinimet ministria

Numri i të vaksinuarve kundër Covid-19 në Shqipëria vijon të rritet, me shtimin e interesimit në muajin e parë të këtij viti. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se deri tani janë kryer 2.574.982 vaksinime.

Numri total i vaksinimeve të raportuara, përfshin edhe vaksinimet e qytetarëve shqiptarë të kryera jashtë vendit dhe që janë të regjistruara në sistemet e integruara, për t’u dhënë të gjithëve mundësinë për të përmbushur procesin e vaksinimit në Shqipëri ose jashtë vendit.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

“Çdo qytetar mbi 16 vjeç mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku”, -rekomandon ministria.

MSHMS u kujton qytetarëve që kanë kryer dozën e dytë të vaksinës më shumë se gjashtë muaj më parë, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese.

Vaksinat anti-Covid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet, thekson Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.