Punesimi atsh

Punesimi atsh

Punësimi dhe integrimi social i qytetarëve, që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, është në fokus të një plani konkret që po ndërmerr qeveria për mbështetjen e njerëzve në nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kanë nënshkruar urdhrin e përbashkët për ngritjen e mekanizmit për nxitjen e punësimit të përfituesve të ndihmës ekonomike.

Manastirliu nënvizon se përmes këtij mekanizmi do të mundësohet punësimi dhe aftësimi profesional i punëkërkuesve të papunë, përfitues në programin e ndihmës ekonomike, duke synuar integrimin e tyre në tregun e punës.

“Përmes një urdhri të përbashkët, ngrihet një mekanizëm i ri, përmes të cilit do të përgatiten plane individuale të mbështetjes për çdo qytetar në moshë aktive pune që aktualisht merr ndihmë ekonomike; do të kryhen trajnime profesionale dhe aftësim për punësim si dhe do të zhvillohen programe të ndërmjetësimit dhe nxitjes së punësimit në fusha të ndryshme”, -tha Manastirliu.