Manastirliu femijet atsh

Manastirliu femijet atsh

Me pjesëmarrjen e disa ministrave dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme e organizatave të shoqërisë civile, u mbajt të martën në Tiranë mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve i thirrur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Në hapje të fjalës së saj, ministrja Manastirliu tha se takimi shërben për t’u angazhuar të gjithë së bashku, për të bërë një hap më shumë drejt fuqizimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.

Duke folur për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e fëmijëve 2021-2026, ajo vuri theksin te parandalimi dhe ndihma e menjëhershme për fëmijët në situatë risku.

“Ky këshill ka një vlerë të shtuar në gjithë mekanizmin e sistemit të parandalimit të atyre fenomeneve që rrezikojnë më shumë fëmijët tanë. Nëse i gjithë zinxhiri i parandalimit funksionon sahat, duke filluar nga shkolla, te policimi në komunitet, te sistemi i mbrojtjes sociale, te sistemi shëndetësor, te drejtësia sociale, jam e bindur që eliminimi i fenomeneve që ekzistojnë nuk do të jetë thjesht një objektiv i 10 viteve të mëtejshme, por do të jetë një objektiv që mund ta arrijmë shumë shpejt”, -tha Manastirliu.

Dukë kërkuar ndërveprim më të mirë nëpërmjet strukturave, ministrja e Shëndetësisë tha se sfidë mbetet riintegrimi i fëmijëve.

Manastirliu e ka quajtur 2022-shin vitin e fëmijëve për vëmendjen dhe investimet për ta.