E para anije ushtarake për transportin e nëndetëseve gjatë Luftës së Parë Botërore është zbuluar së fundmi në thellësitë e Adriatikut, në Gjirin e Durrësit.

Anija “Verbano” u mbyt në nëntor të vitit 1918 pasi ndeshi në dy mina detare teksa lundronte nga Kotorri drejt Libisë. Atëherë pronë e Marinës Mbretërore Italiane, sot ky objekt i shtohet hartës së arkeologjisë nënujore të Durrësit, duke e pasuruar më tej atë, bën të ditur Top “Channel”.

Me zbulimin e këtij objekti, arkeologjia nënujore shqiptare shënon një tjetër arritje. Për herë të parë, grupi teknik i zhytësve, pjesë e projektit të Institutit të Arkeologjisë për krijimin e hartës së trashëgimisë nënujore të Durrësit, thyen një rekord thellësie.

Kjo gjetje ka sjellë shumë interes edhe në Italinë fqinje, jo vetëm për vlerat historike të kësaj anije, po edhe për ato humane që mbart, pasi pjesa më e madhe e ekuipazhit ushtarak humbi jetën në të.