Ekipet e shpëtimit, duke përfshirë ushtrinë, punuan gjatë natës për të evakuuar mijëra njerëz të bllokuar në makinat e tyre në një autostradë të Athinës pasi një stuhi e fortë dëbore përfshiu Greqinë të hënën, duke mbuluar kryeqytetin dhe duke shkaktuar kaos trafiku.

Më shumë se 3500 njerëz u evakuuan të martën, disa duke braktisur makinat e tyre në këmbë, por rreth 1200 makina mbetën të bllokuara në Attiki Odos, unaza kryesore e kryeqytetit, tha zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou, citon “Kathimerini”.

"Jemi ende në një fazë shumë të vështirë, pasi parashikimet tregojnë se pas një kohe do të përballemi sërish me vështirësi”, -tha zëdhënësi.

Ndërsa temperaturat ranë gjatë natës, ushtarët shpërndanë ushqim, ujë dhe batanije për shoferët, disa prej të cilëve mbetën të bllokuar në makinat e tyre për më shumë se 10 orë. Pamjet televizive treguan rrugën dhe automjetet të mbuluara me borë. Ndërkohë pjesë të Athinës u goditën nga ndërprerjet e energjisë elektrike.