Ekspertët thonë se në Shqipëri nuk është arritur ende piku i infektimeve nga vala e variantit Omicron të Covid-19. Sipas tyre, në ditët në vijim priten ende rritje të rasteve, ndërsa theksojnë se kjo valë është më e shkurtër se të mëparshmet që nga fillimi i pandemisë.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se kjo periudhë e pandemisë është e pazakontë sa i përket numrit të thirrjeve dhe vizitave në banesë. Sipas tij, numri i të infektuarve është disa herë më i lartë sesa shifrat zyrtare dhe bëri thirrje për kujdes dhe izolim, përcjell “A2”.

Brataj tha se varianti Covid po kalohet më lehtë nga personat e vaksinuar dhe u bëri thirrje të pavaksinuarve që të marrin dozat antikoronavirus. (Irma)