Foto:CMG

Foto:CMG

Në prag të Lojërave Olimpike Dimërore, Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, jep detaje mbi përfaqësimin e Shqipërisë në të këtë eveniment. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Toçi tha se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është ëndrra e çdo sportisti dhe Shqipëria e ka marrë shumë seriozisht përgatitjen për këto Lojëra.

“Është një eveniment shumë i madh pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Për mua si president është një nga emocionet më të bukura marrja pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Pekini është një vend i bukur dhe ne shpresojmë të kalojmë sa më mirë. Sportistët tanë në këto 4 vite kanë punuar shumë seriozisht”, -tha Toçi.

Toçi shprehet optimist se 18-vjeçari Denni Xhepa do të ketë një përfaqësim dinjitoz, ndërsa shton se federata ka një strategji të qartë për zhvillimin e sportit për 4 vitet e ardhshme.

“Shpresoj në një rezultat të mirë të Dennit, natyrisht nuk pretendoj për ndonjë medalje botërore, sepse është shumë i ri dhe kjo do shumë eksperiencë. Shqipëria do të përfaqësohet me shumë dinjitet dhe jam i sigurt që ky do të jetë një lajm i mirë për të vendosur një standard shumë të lartë për skiatorët e tjerë. Ne kemi ofruar pranë ekipeve tona dhe trajnerë të niveleve të larta. Pra nuk e kemi lënë në dorë të rastësisë dhe ka një strategji të qartë për 4 vitet e ardhshme dhe mendojmë që t’i sjellim Shqipërisë një medalje. Kjo është ambicia jonë, qëllimi ynë”, -tha Toçi, duke shtuar se mezi presin të shkelin tokën kineze. (Eda Merepeza)