Foto:CMG

Foto:CMG

Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, i cili ishte në krye të delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Verore të Pekinit në vitin 2008, vlerësoi këto të fundit si më të mirat të mbajtura ndonjëherë dhe shprehu bindjen se pavarësisht nga pengesat e shkaktuara nga pandemia, edhe Lojërat Olimpike Dimërore do të jenë në nivelin e atyre të 14 viteve më parë.

“Jam i bindur te serioziteti i qeverisë kineze, që do të jenë Lojërat më të mira në botë për sa i përket mënyrës së organizimit”, -tha Ylli në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës.

Në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, Shqipëria do të përfaqësohet nga skiatori 18-vjeçar Denni Xhepa. Pavarësisht pjesëmarrjes modeste, kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, shprehet optimist për përfaqësimin e tij.

“Është një sportist me shumë të ardhme. Para disa ditësh ai ka dalë i pesti në kampionatin në Alpet e Italisë. Ne shpresojmë që e ardhmja e skive në Shqipëri shumë shpejt do të ndryshojë. Pavarësisht se me një sportist, flamuri shqiptar do të valëvitet në Lojërat Olimpike Dimërore që zhvillohen në Pekin, më 4 shkurt”, -tha Ylli.

Kryetari i KOKSH-it tha se Shqipëria është një vend me mangësi në infrastrukturën e sporteve dimërore, por po punohet për më shumë investime në këtë drejtim.

“Shqipëria është një vend malor dhe ne kemi male të jashtëzakonshme, si Korabi, malet e Kukësit, Tomorit, të Korçës apo mali i Gramozit, si dhe kemi mbi 4 muaj borë, ndaj na duhet një investim, bashkëpunim i qeverisë me biznesin privat dhe Federatën Botërore. Sepse kur flasim për pistë flasim për resorte turistike, hoteleri, punësim, sport që i vjen në ndihmë ekonomisë shqiptare, imazhit të Shqipërisë”, -tha Ylli. (Eda Merepeza)