Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, një prej figurave më poliedrike të shtetit shqiptar dhe letrave shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, organizoi aktivitetin në nderim të tij, ku morën pjesë personalitete të letrave dhe artit. Pjesëmarrësit folën për figurën shumëplanëshe të Fan Nolit dhe kontributit të tij të çmuar në letërsi, politikë etj.

Aktiviteti u vijimësua nga ekspozita me tituj librash origjinalë e të përkthyer nga Fan Noli, si dhe monografi dhe numra periodikësh ndër vite – ekspozitë kjo e mundësuar dhe kuruar nga Mehmet Gëzhilli. Fan Noli është konsideruar para kohës në të cilën jetoi. Ai përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj. Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës.