Projekti për aktivitetin kushtuar Javëve të Kulturës Ndërkombëtare është prezantuar së fundi, në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se, “gjatë vitit 2022 do të organizohen Javët Kulturore Ndërkombëtare”. “Ky projekt në axhendën e kalendarit kulturor do të sjellë në Shqipëri kultura, ngjyra e aroma nga vende të ndryshme të botës”, tha Margariti.

Javët Kulturore Ndërkombëtare, një nismë e re e Ministrisë së Kulturës, do të shërbejë si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë. Teksa Margariti publikoi një foto nga ky takim dhe shprehet se, “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”.