Foto: ATSH

Foto: ATSH

Në Shqipëri aktualisht mbizotëron varianti Omikron i koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra e re shëndetësore në Borizanë, e rindërtuar pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit, siguroi banorët për garantimin e testimit për Covid-19 pranë qendrave shëndetësore.

“Kemi një situatë që paraqitet me një rritje të incidencës sa i përket rasteve Covid-19. Është vënë re qe ka një përqindje të lartë të qarkullimit Omikron dhe nga informacionet që vijnë nga ISHP ka një përqindje të theksuar të qarkullimit të Omikron kundrejt variantit Delta që ka qenë më parë. Kjo do të thotë që duhet të jemi të kujdesshëm sepse rritja e numrit të infektimeve sigurisht shkakton edhe rritje të numrit të personave të cilët mund të shtrohen në spitale”, -tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se situata në spitale paraqitet e qëndrueshme, kjo falë edhe punës e ndjekjes sipas protokolleve të pacientëve nga mjekët e familjes.

“E rëndësishme është që duhet të vijojmë me dozën përforcuese të vaksinës për ata që janë vaksinuar me dy doza pasi dhe studimet tregojnë që kjo dozë ndihmon shumë dhe ul riskun për humbje të jetës”, -theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se në të gjitha qendrat shëndetësore në Shqipëri po kryhet testimi i shpejtë për kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve. (Elona)