Foto: VCG

Foto: VCG

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se që në fund të muajit nëntor, vlera dhe numri i pagesave bankare në distancë (home banking) e kaluan nivelet e vitit 2020, shkruan “Monitor”.

Vlera e transaksioneve në fund të 11-mujorit arriti në 1.075 trilionë lekë, duke kaluar me 30 miliardë lekë vlerën e realizuar gjatë të gjithë vitit të mëparshëm.

Mesatarja mujore e transaksioneve bankave në distancë rezulton rreth 97.8 miliardë lekë, nga 87.1 miliardë lekë që ishte mesatarja mujore e vlerës së transaksioneve për vitin 2020.

Ndërsa numri i transaksioneve për 11-mujorin 2021 arriti në 4.47 milionë, nga 4.12 milionë që kishte qenë për të gjithë vitin paraardhës. Mesatarja mujore ka arritur në rreth 406 mijë veprime, nga 343 mijë që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar.

Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët. (Fatosi)