Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua të enjten e kaluar me ministren e re të Turizmit dhe të Mjedisit të Shqipërisë Mirela Kumbaro. Të dyja palët shkëmbyen mendime për forcimin e bashkëpunimit kino-shqiptar në fushat e turizmit dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Ambasadori Zhou tha se, gjatë vizitës në tetorin e vjetshëm në Shqipëri, anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi pati shkëmbime të thella mendimesh me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka mbi marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në fusha të ndryshme, veçanërisht në turizëm. Para shpërthimit të pandemisë, numri i turistëve kinezë jashtë vendit arriti në 155 milionë në vit dhe Kina ishte një nga burimet më të mëdha të turistëve. Kina dhe Shqipëria kanë potencial të madh në bashkëpunimin turistik dhe të dyja palët duhet të shfrytëzojnë miqësinë tradicionale midis dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin në këtë drejtim. Pala kineze mirëpret që pala shqiptare të shtojë promovimin turistik në Kinë dhe të hartojë më shumë linja turistike karakteristike, për të tërhequr më shumë turistë kinezë.

Mbrojtja e mjedisit ka lidhje të ngushtë me turizmin, theksoi më tej ambasadori Zhou. Mjedisi i pastër dhe i bukur është një nga kushtet e domosdoshme për tërheqjen e turistëve. Vitet e fundit, duke ndjekur konceptin "Ujërat e kulluara dhe malet me bimësi të harlisur janë të paçmueshme", të paraqitur nga presidenti Xi Jinping, Kina ka ngulur këmbë në rrugën që i jep përparësi ekologjisë dhe zhvillimit të gjelbër, ka mbrojtur mjedisin ekologjik në mënyrë të gjithanshme e në të gjitha krahinat dhe ka pasur rezultate të dukshme. Pala kineze dëshiron të zhvillojë aktivisht shkëmbime e bashkëpunim me palën shqiptare në mbrojtjen ekologjike dhe në sistemimin e mjedisit, shtoi përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri.

Nga ana e saj, ministrja shqiptare e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro i shprehu falënderime ambasadorit Zhou dhe tha se miqësia tradicionale midis popullit shqiptar dhe popullit kinez është thesar i çmuar i përbashkët midis dy palëve dhe duhet të shndërrohet edhe në një motor të fuqishëm për nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve, duke përfshirë edhe fushën turistike. Pala shqiptare është e gatshme të shtojë më tej promovimin e turizmit në tregun kinez dhe të tërheqë më shumë turistë kinezë. Aktualisht, qeveria shqiptare po kryen fushatën e pastrimit të mjedisit në vend dhe do të shpallë edhe një vendim për ndalimin e qeseve plastike me një përdorim. Në këtë drejtim, pala shqiptare do të shtojë shkëmbimet me sektorin kinez të mbrojtjes së mjedisit, që të mësojë prej përvojës së suksesshme të Kinës në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, shtoi ministrja Kumbaro. (Wang Lei/ Artan) foto nga ambasada e Kinës