Foto: lajmeaktuale

Foto: lajmeaktuale

Në Shqipëri autoritetet shëndetësore thonë se krahasuar me vitin e kaluar situata e infektimeve me koronavirus është më e lehtësuar, pas ndikimit që ka dhënë vaksinimi i popullatës.

Në spitalet Covid 1 dhe Covid 3 ndodhen rreth 130 pacientë nga mosha 18 deri mbi 90-vjeçare.

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo tha se nëse do të kishim një popullatë më shumë të vaksinuar, numri i personave të shtruar në spital me Covid do të ishte më i pakët.

Sipas saj, mbi 95-97% të të shtruarve janë persona të pavaksinuar. Dr. Çomo me këtë rast ka përsëritur thirrjen për vaksinim.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik mendojnë se varianti mbizotërues në qarkullim i COVID-19 është ende ai Delta. Por prof. Mira Rakacolli thotë se me shpejtësinë që e karakterizon varianti Omicron brenda pak ditësh do të jetë mbizotërues. (Fatosi)