Foto: ATSH

Foto: ATSH

Ministria e Kulturës dhe Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit po vijojnë restaurimin e filmave. Njoftimi u bë nga ministrja e Kulturës Elva Margariti përmes një statusi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Falë donatorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë po punojmë për restaurimin e filmave të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Mimoza llastica”, “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Skëndërbeu”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947. Ai ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.

Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre.

Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit. (Fatosi)