Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan, i cili të hënën viziton Shqipërinë, ka deklaruar se Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit dhe Ballkani është një rajon i domosdoshëm në interesat e Turqisë.

“Pikëpamja e Turqisë për Ballkanin është formuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe më miqësore me vendet e Ballkanit”, -tha ai për agjensinë e lajmeve “ADN”.

Lidhur me Shqipërinë, Erdogan tha se ajo është në qendër të kësaj perspektive. “Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin”, -tha Erdogan, duke theksuar se në këtë drejtim, Turqia ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë mike dhe vëllazërore me ndjenjat më të përzemërta dhe të sinqerta dhe është e vendosur ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Në vlerësimin e tij, Shqipëria është kthyer në një nga vendet ballkanike me të cilat marrëdhëniet e Turqisë janë më të qëndrueshme dhe pozitive. Sipas Erdogan, në kuadrin e parimit të dialogut politik të nivelit të lartë të politikës së jashtme turke, marrëdhëniet me Shqipërinë po diversifikohen dhe thellohen çdo vit. (Fatosi)